image Ekskluzive: I dehur, e fyen dhe e pështyn gruan – Godet me shkelm në bark edhe djalin 15-vjeçar që tentoi ta ndalojë

Ekskluzive

Ekskluzive: I dehur, e fyen dhe e pështyn gruan – Godet me shkelm në bark edhe djalin 15-vjeçar që tentoi ta ndalojë

news image

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë i dhunës në familje është raportuar të shtunën vonë në Klinë, ku një burrë në gjendje të dehur ka sulmuar verbalisht bashkëshorten dhe më pas ka goditur fizikisht djalin e tij të mitur.

Sipas burimeve brenda Prokurorisë, më 07.06.2025, rreth orës 23:30, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, ka ndërhyrë njësia policore pas raportimit të një incidenti dhune në familje, ku i dyshuari R.R, 44 vjeçar kishte shkaktuar trazim dhe dhunë në shtëpi.

Gjatë incidentit, ai kishte fyer dhe pështyrë bashkëshorten, ndërkohë që djali i tij 15-vjeçar, Xh.R, kishte tentuar të ndërhynte për ta ndalur situatën. Por në vend të përmirësimit, situata është përshkallëzuar, pasi i dyshuari ka goditur djalin e tij me shkelm në bark.

Policia ka arrestuar të dyshuarin në vendin e ngjarjes dhe i është bërë testi i alkoolit, ku ka rezultuar me 0.50 promila në gjak. Viktima është dërguar në QKMF Klinë, ku sipas mjekut kujdestar nuk janë konstatuar lëndime të dukshme, por është dhënë trajtimi mjekësor parandalues.

Gjatë intervistimit, dëshmitarja dhe viktima kanë deklaruar se i dyshuari ka pasur edhe raste të mëhershme të dhunës, por ato nuk janë raportuar më parë në polici.

Prokurori i rastit është njoftuar menjëherë dhe ka dhënë urdhër për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, ndërsa është inicuar rasti për veprën penale “Dhuna në familje”.

Gazeta Sinjali do të ndjekë rastin dhe sjell zhvillimet në vazhdim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/