image Ekskluzive: I arrestuari për tentim vrasjen e policit në Pejë ka të kaluar kriminale, Sinjali zbulon veprat e tjera

Siguri

Ekskluzive: I arrestuari për tentim vrasjen e policit në Pejë ka të kaluar kriminale, Sinjali zbulon veprat e tjera

news image

I dyshuari për tentim vrasjen e policit në fshatin Ozdrim të Pejës, që tentoi të shpëtojë nga prangat e Policisë, nuk e shijoi lirinë gjatë. Tentativa për t’u arratisur i dështoi, pasi Policia arriti ta arrestojë dhe i njëjti tashmë ndodhet në ndalim policor. Sinjali raportoi ekskluzivisht se personi i dyshuar për këtë rast është Agron Gashi – i cili është emër i njohur për organet e rendit.

Gazeta Sinjali ka mësuar se Agron Gashi, i cili është nga fshati Ozdrim i Pejës, ka të kaluar kriminale, të pasur me plot vepra penale, që dyshohet se i ka kryer në vazhdimësi.

Vetëm këtë vit, burimet thonë se i njëjti ka qenë subjekt i hetimit për veprat si “Kanosje”, “Dhunë në familje”, “Armëmbajtje pa leje” e raste të ndryshme të “Lëndimit trupor” – incidente në të cilat është përfshirë.

Ndërsa në rastin e fundit, që ndodhi mbrëmë ai po dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.

Lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

I dyshuari është ndaluar nga Prokurori i Shtetit për 48 orë. Në kohën e paraparë ligjore do të bëhet edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit”, tha Nikçi për Sinjalin.

Agron Gashi po dyshohet se për motive akoma të panjohura, ka goditur me veturë zyrtarin policor që ishte në krye të detyrës dhe më pas kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Pas kryerjes së veprës penale, vetura e tij u gjet e braktisur në fshatin Ozdrim.

Ndërkohë, polici që u sulmua ka marrë trajtim mjekësor në Spitalin Rajonalë të Pejës dhe gjendja e tij shëndetësore është stabile.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/