Një rast i ngacmimit seksual është raportuar në fshatin Batushë të Graçanicës, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar seksualisht shitësen e një marketi, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për R. D., 53-vjeçar, i cili dyshohet se fillimisht kishte hyrë në marketin e viktimës, L. L., 52-vjeçar, dhe më pas ishte rikthyer sërish, duke i kërkuar një cigare dhe një shkrepëse.
Sipas kallëzimit të viktimës, pasi ishte frikësuar nga sjellja e tij dhe kishte tentuar të largohej, i dyshuari e kishte ndjekur, fillimisht e kishte kapur për krahu, e më pas dyshohet se e kishte prekur në gjoks.
Për t’i shpëtuar, gruaja ka deklaruar se e kishte goditur me këmbë të dyshuarin dhe ishte larguar duke kërkuar ndihmë. Më pas ajo ka pranuar trajtim mjekësor.
I dyshuari, gjatë intervistimit në praninë e avokatit mbrojtës, ka mohuar akuzat, duke deklaruar se kishte hyrë në market vetëm për të blerë gjësende dhe se nuk e kishte prekur apo sulmuar shitësen.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprën penale “Ngacmim seksual”, ndërsa R. D është dërguar në mbajtje.
Hetimet për rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!