image Ekskluzive: ‘Hekri’ i dënuar për plaçkitjen e Rolexave, i dyshuar për shtytje në vetëvrasjen e 37-vjeçarit

Ekskluzive

Ekskluzive: ‘Hekri’ i dënuar për plaçkitjen e Rolexave, i dyshuar për shtytje në vetëvrasjen e 37-vjeçarit

news image

Një aksion i madh i Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë rezultoi me arrestimin e dy personave të dyshuar për shtytje në vetëvrasjen e 37-vjeçarit nga Lipjani, Bashkim Salihut. Babë e bir kanë rënë në pranga, ndërsa cak i Policisë është edhe një person tjetër, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se përveç dy të dyshuarve Skender dhe Albion Tasholli, babë e bir nga Lipjani që u kapën mbrëmë, pritet të arrestohet edhe i dyshuari tjetër.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se i dyshuari që ndodhet në arrati është Ekrem Gashi, rreth 47-vjeçar, i njohur ndryshe si “Hekri”.

Ky i fundit ka vendim të plotfuqishëm dënues për plaçkitjen e orëve të shtrenjta “Rolex” në Mbretërinë e Bahrejnit.

Ndryshe, mbrëmë shtëpia e tij në Prishtinë është bastisur, si i dyshuar për shtytje në vetëvrasjen e 37-vjeçarit nga Lipjani.

Njësi të shumta policore kanë zbarkuar mbrëmë edhe në shtëpinë e familjes Tasholli në Gadime, ku janë sekuestruar disa dokumente, në cilësinë e provave materiale, thonë tutje të njëjtat burime.

Në bazë të informacioneve të para, arrestimi i të dyshuarve që janë cak i Policisë e Prokurorisë pritet të zbulojë detaje për vetëvrasjen e Salihut, i cili dyshohet se i dha fund jetës nga problemet me fajdexhinj.

Gazeta Sinjali do të iu mbajë të informuar me detaje të reja.

/GazetaSinjali/