Një rast shqetësues ka ndodhur brenda qendrës së fitnesit “Five Star” në Prishtinë, ku një vajzë 19-vjeçare me inicialet K.B. dyshohet se ka rënë viktimë e vjedhjes së kuletës së saj, ndërkohë që ishte duke u stërvitur.
Ngjarja ka ndodh me 17 prill 2025. Burime të Sinjalit brenda ambienteve të fitnesit bëjnë me dije se e reja kishte lënë çantën në zhveshtore, ku ndodhej edhe kuleta me dokumente personale dhe kartelë bankare.
Pas përfundimit të stërvitjes, ajo ka vërejtur se kuleta i mungonte, dhe ndërkohë që përpiqej të kontaktonte bankën për bllokimin e kartelës, dikush kishte arritur të realizonte një blerje në vlerë prej 40 eurosh.
Nuk dihet nëse rasti është denoncuar zyrtarisht në Polici, por burimet tona theksojnë se është kërkuar ndërhyrja e organeve kompetente për të hetuar rastin si vjedhje e identitetit dhe keqpërdorim i pajisjeve për qasje, sipas bazës ligjore përkatëse.
Ngjarja ngre shqetësime serioze për sigurinë e objekteve të tilla publike, ku qytetarët lënë në besim të plotë mjetet e tyre personale, por mbesin të pambrojtur ndaj vjedhjeve të tilla të sofistikuara.
Sinjali do të ndjekë nga afër çdo zhvillim dhe do të sjellë detaje të reja nëse rasti procedohet nga organet e rendit.