Një tentativë për vjedhje është parandaluar në orët e para të mëngjesit në Prishtinë, ku Policia ka arrestuar në flagrancë një 37-vjeçar që dyshohet se po tentonte të hynte në një shtëpi për të vjedhur, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 01:45 në rrugën “Bajram Curri”, pas një denoncimi për një person të dyshimtë pranë një shtëpie.
Me të arritur në vendin e ngjarjes, njësitë policore kanë arritur ta arrestojnë Dardan Kiçajn, rreth 38-vjeçar, i cili dyshohet se kishte tentuar të depërtonte në shtëpi me qëllim kryerjen e vjedhjes.
I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor “Veriu”, ku është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës.
Në cilësinë e ankuesit është intervistuar pronari i shtëpisë, N. K., rreth 60-vjeçar, i cili ka deklaruar se, pas kontrollit të objektit, nuk kishte vërejtur mungesën e ndonjë sendi.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë në tentativë”, ndërsa ndaj Dardan Kiçajt është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Ai është dërguar në Qendrën e Mbajtjes, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!