image Ekskluzive | Hajni i maskuar vodhi pjesë nga tri vetura në një servis në Fushë Kosovë – Policia identifikon dhe arreston 30-vjeçarin

Ekskluzive

Ekskluzive | Hajni i maskuar vodhi pjesë nga tri vetura në një servis në Fushë Kosovë – Policia identifikon dhe arreston 30-vjeçarin

news image

Policia e Kosovës ka zbardhur një rast të vjedhjes së rëndë që kishte ndodhur në një servis të automjeteve në Fushë Kosovë, ku një person dyshohet se vodhi pjesë nga tri vetura, duke shkaktuar dëme rreth 1 mijë euro.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është Denis Kuqica, 30 vjeçar, ndërsa viktimë është Q. B. 27 vjeçar, pronar i servisit.

Sipas informacioneve, ankuesi kishte raportuar se nga servisi i tij në rrugën “E Pejës” mungonin disa pjesë të automjeteve, por nuk kishte arritur të përcaktonte kohën e saktë të vjedhjes.

Pas pranimit të rastit, hetuesit kanë analizuar pamjet e kamerave të sigurisë, përmes të cilave kanë arritur të identifikojnë datën dhe kohën e kryerjes së veprës, si dhe një person të maskuar që dyshohet se kishte vjedhur pjesë nga tri vetura.

Pas veprimeve intensive operativo-hetimore, Policia ka arritur ta identifikojë të dyshuarin dhe të lokalizojë vendbanimin e tij. Hetuesit kanë identifikuar edhe veturën që dyshohet se ishte përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes dhe largimit nga vendi i ngjarjes.

Edhe pse fillimisht nuk u gjet në shtëpi, pas ftesës së Policisë, Denis Kuqica është paraqitur në Stacionin Policor në Fushë Kosovë, ku është intervistuar. Gjatë procedurave janë arritur të rikthehen edhe sendet e vjedhura, të cilat i janë kthyer pronarit.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, pas intervistimit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin e cilësuar si “Vjedhje e rëndë” janë duke vazhduar.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/