Një rast i pazakontë është raportuar në Leposaviq, ku një person që denoncoi vjedhje në shtëpinë e tij, përfundoi i dyshuar për armëmbajtje pa leje.
Siç mëson Sinjali, më 27.02.2026 rreth orës 12:30 në Stacionin Policor në Leposaviq është paraqitur Radisa Balovic, i cili ka raportuar se në shtëpinë e tij në fshatin Krushevë – ku nuk banon vazhdimisht – persona të panjohur kishin hyrë me forcë mbrëmjen e 26.02.2026 rreth orës 18:00.
Sipas deklarimit të tij, nga shtëpia janë vjedhur: një pushkë gjuetie, prodhim rus, kalibri 12, një pushkë karabinë, prodhim jugosllav “Crvena Zastava”, kalibri 8.57 mm.
Megjithatë, gjatë verifikimeve është konstatuar se për armët e raportuara si të vjedhura, pronari nuk posedon leje valide të lëshuar nga autoritetet e Republikës së Kosovës.
Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, është urdhëruar që personi të intervistohet në prani të avokatit mbrojtës dhe rasti të iniciohet për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Rasti është duke u hetuar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!