image Ekskluzive | Hajnat futen nga dritarja në Klinë – zhduken mbi 26 mijë euro, ari dhe një armë me leje

Siguri

Ekskluzive | Hajnat futen nga dritarja në Klinë – zhduken mbi 26 mijë euro, ari dhe një armë me leje

news image

Një vjedhje e rëndë është raportuar mbrëmjen e së shtunës në Klinë, ku persona ende të panjohur dyshohet se kanë hyrë me forcë në një shtëpi dhe kanë marrë para, stoli ari dhe një armë zjarri, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30 në rrugën “Sadik Rama”.

Sipas informatave, njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar se hajnat kishin hyrë në shtëpi përmes një dritareje të hapur me forcë.

Burimet bëjnë të ditur se sipas deklarimit të pronarit, A. K (22-vjeçar), nga shtëpia dyshohet se janë marrë:

  • rreth 20 mijë euro para të gatshme,
  • stoli ari në vlerë rreth 6 mijë e 500 euro,
  • dhe një armë zjarri e tipit “Canik Turk TP9V2” me leje, pronë e babait të tij.

Fillimisht ishte raportuar edhe për vjedhjen e një laptopi dhe 50 fishekëve të armës, por Sinjali mëson se pas ekzaminimit nga krimteknika është konstatuar se laptopi ndodhej ende në dhomë, ndërsa fishekët nuk ishin marrë.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”.

Hetimet për identifikimin e autorëve janë në vazhdim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/