Në orët e para të mëngjesit të sotëm, katër persona të maskuar kanë kryer një grabitje të guximshme në pompën e derivateve “Valoni Petrol”, në rrugën Kadri Zeka në Veternik të Prishtinës, ku cak ishte kasaforta e kompanisë “ExCoin”, që operon me kriptovaluta, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, rreth orës 04:00, të dyshuarit, të armatosur me mjete pune (hekura), kanë kanosur punëtorin M. M. 51 vjeçar dhe më pas kanë marrë kasafortën, përpara se të largoheshin me veturë në drejtim të panjohur.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve dhe forenzikës, ndërsa janë marrë në pyetje edhe dy dëshmitarët, O.R dhe A.D.
Fatmirësisht, gjatë incidentit nuk ka pasur persona të lënduar.
Rasti është iniciuar si “Grabitje” me urdhër të Prokurorit kujdestar për krime të rënda, ndërkohë që hetimet për kapjen e autorëve janë në zhvillim.