image Ekskluzive: Gruaja nga Kaçaniku denoncon burrin për dhunë fizike dhe psiqike – Flet për presion nga familjarët dhe përpjekjet për ta rikthyer me forcë

Ekskluzive

Ekskluzive: Gruaja nga Kaçaniku denoncon burrin për dhunë fizike dhe psiqike – Flet për presion nga familjarët dhe përpjekjet për ta rikthyer me forcë

news image

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Së fundmi një rast i rëndë dhune në familje dhe kanosjeje është denoncuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Kaçanik, ku një grua ka kërkuar ndihmën e Policisë për shkak të përndjekjes dhe presionit të vazhdueshëm nga ish-bashkëshorti dhe familjarët e tij.

Sipas burimeve të besueshme, më 07.06.2025 rreth orës 01:30, në Stacionin Policor Kaçanik është paraqitur viktima S. I., rreth 26-vjeçare e cila ka raportuar rastin e dhunës së ushtruar nga ish-bashkëshorti i saj U.M, banor i fshatit Kovaçec – Kaçanik.

Në deklaratën e dhënë para njësisë për dhunë në familje, viktima ka treguar se pesë ditë më parë ishte ndarë nga burri për shkak të dhunës fizike dhe psiqike të vazhdueshme, por që përndjekja e saj nuk kishte ndaluar. Sipas saj, ajo ka qenë nën presion të vazhdueshëm edhe nga familjarët e burrit, veçanërisht nga babai i tij, që e kishin detyruar të largohej nga shtëpia.

E njëjta ka deklaruar se është nënë e tre fëmijëve të vegjël, një vajzë dhe dy djem nën moshën pesëvjeçare.

Për shkak të kushteve të rënda ekonomike, vajza është nën kujdesin e nënës së saj, ndërsa dy djemtë i ka marrë ish-burri. Ajo ka theksuar se për momentin nuk ka mundësi t’i kujdeset vetë për ta derisa të realizojë një zgjidhje ligjore përmes Gjykatës.

Sipas deklaratës së viktimës, U.M ka tentuar disa herë ta bindë që të kthehet në shtëpi, madje edhe me kërcënime e presion, por ajo ka refuzuar kategorikisht të kthehet.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e hetimit penal dhe i është referuar njësisë së specializuar për dhunë në familje në Stacionin Policor Kaçanik.

Gazeta Sinjali do të vazhdojë të ndjekë këtë rast dhe të raportojë për zhvillimet e mëtejshme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/