image Ekskluzive | Grabitje spektakolare në depot e “Alma SHPK” dhe “Top Soft Pejners” në Prishtinë – dëmi mbi 80 mijë euro, grabitësit dogjën sistemet e sigurisë

Ekskluzive

Ekskluzive | Grabitje spektakolare në depot e “Alma SHPK” dhe “Top Soft Pejners” në Prishtinë – dëmi mbi 80 mijë euro, grabitësit dogjën sistemet e sigurisë

news image

Një grabitje e organizuar ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në fshatin Suhadoll të Graçanicës, ku një grup prej 7 deri në 8 personash dyshohet se kanë hyrë në depot e kompanive “Alma SHPK” dhe “Top Soft Pejners SHPK”, kanë marrë para të gatshme dhe më pas kanë djegur sistemet e sigurisë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja është raportuar rreth orës 01:30, pasi kompania e sigurimit ka njoftuar Policinë për grabitjen në dy depot.

Sipas deklarimit të rojës së objektit, Xh. H. 47 vjeçar një grup prej 7-8 personash kishte hyrë në oborrin e depove dhe e kishte detyruar të ulej e të mbante kokën poshtë, ndërsa autorët kishin hyrë në objekt. Ai ka deklaruar se nuk ka mundur të vërejë nëse grabitësit ishin të armatosur.

Nga depoja e kompanisë “Alma SHPK”, në pronësi të S. Z. 54 vjeçar, grabitësit dyshohet se kanë marrë 2 mijë euro, ndërsa më pas i kanë vënë flakën të gjithë sistemit DVR, duke shkaktuar dëme që, sipas pronarit, arrijnë në 50 deri në 60 mijë euro.

Ndërkohë, në depon e kompanisë “Top Soft Pejners SHPK”, në pronësi të B. K. 42 vjeçar autorët dyshohet se kanë djegur sistemin DVR dhe panelet solare, duke shkaktuar dëme të vlerësuara rreth 20 mijë euro.

Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar edhe njësitë e zjarrfikësve, të cilat kanë lokalizuar zjarrin dhe kanë parandaluar përhapjen e tij.

Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore, hetuesit rajonalë dhe ekipi i forenzikës, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti “Grabitje”.

Hetimet janë marrë në kompetencë nga njësitë rajonale të Policisë, të cilat po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/