image Ekskluzive | Grabitje si në filma në një "Petrol Company" në Prishtinë – hajnat me thika futën punëtorët në tualet dhe zbrazën kasafortat

Ekskluzive

Ekskluzive | Grabitje si në filma në një “Petrol Company” në Prishtinë – hajnat me thika futën punëtorët në tualet dhe zbrazën kasafortat

news image

Një grabitje e organizuar ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në një pikë karburanti në Prishtinë, ku dy persona të maskuar arritën të marrin mijëra euro dhe të zhduken pa lënë gjurmë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:55 në një pikë të Petrol Company, në rrugën “Ramiz Cernica”.

Sipas dëshmive të punëtorëve, dy persona të veshur me rroba të zeza, me maska dhe doreza, kanë hyrë në objekt të armatosur me thika dhe nën kërcënim kanë vënë nën kontroll dy punëtorët që ndodheshin në ndërrimin e natës.

Fillimisht, grabitësit u kanë marrë punëtorëve 159 euro para të gatshme, e më pas i kanë futur në tualetin e objektit, duke i paralajmëruar të mos dilnin jashtë.

Por aty nuk ka përfunduar gjithçka.

Sinjali mëson se autorët kanë siguruar një çelës për të cilin, sipas deklarimeve, vendndodhjen e dinin vetëm punëtorët dhe më pas janë drejtuar në zyrën ku ndodheshin kasafortat.

Nga kasaforta e parë ata kanë marrë 2,076.29 euro, ndërsa nga një kasafortë tjetër edhe 463.35 euro, duke u larguar me mbi 2 mijë e 500 euro.

Hetuesit dhe forenzika kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet dhe kanë siguruar pamjet e kamerave të sigurisë.

Nga video-incizimet, sipas burimeve, shihen qartë dy persona të maskuar duke fikur dritat e objektit, duke izoluar punëtorët dhe më pas duke hyrë në zyrat ku mbaheshin paratë.

Pas grabitjes, ata janë larguar në drejtim të panjohur.

Me urdhër të Prokurorit kompetent, rasti është iniciuar si “Grabitje”, ndërsa Policia po punon për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.

Maska, doreza, thika dhe kasaforta të zbrazura. Grabitësit duket se e dinin saktësisht ku po hynin dhe çfarë po kërkonin.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/