Një grabitje nën kërcënimin e thikave ka ndodhur pas mesnatës në parkingun e një Hipermarketi në Prishtinë, ku dy të rinj u përballën me një grup prej 5-6 personash që u morën paratë me forcë, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 00:20, në katin e pestë të parkingut në rrugën “Fehmi Lladrovci”. Viktimat, Xh. R. rreth 26-vjeçar dhe A. K. rreth 31-vjeçar, kanë deklaruar se derisa ndodheshin në parking, janë rrethuar nga 5 deri në 6 persona të panjohur, ku të paktën dy prej tyre mbanin thika.
Nën kërcënimin e armëve të ftohta, grupi u ka marrë 30 euro para të gatshme, ndërsa më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Fatmirësisht, viktimat nuk kanë pësuar lëndime trupore.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se në zonë ka kamera sigurie, pamjet e të cilave pritet të jenë kyçe për identifikimin e autorëve.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe hetuesi kujdestar, i cili, në konsultim me Prokuroren për Krime të Rënda, ka iniciuar rastin si “Grabitje”. Hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!