image Grabitësi i vrarë në Shtime është djali i një polici

Kosovë

Grabitësi i vrarë në Shtime është djali i një polici

news image

Personi i vrarë sot në Shtime, i dyshuar për grabitje, është djali i policit, Bajram Gashi, ka mësuar Sinjali nga burimet e sigurta, të afërta me viktimën.

Bajram Gashi është zyrtar policor i cili punon në stacionin policor në Graçanicë. Ai deri në përfundim të orarit të punës është parë në vendin e tij të punës në Graçanicë dhe sipas burimeve të Sinjalit, deri në orët e vona, nuk ka qenë në dijeni për rastin.

Sinjali, para pak çastesh, ka kontaktuar edhe të atin e viktimës, Bajram Gashin, i cili ka deklaruar se është duke shkuar rrugës për në Ferizaj në stacionin policor. Ai ka thënë se ende nuk di nëse i vrari është djali i tij.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani ka konfirmuar se:

Në bazë të informacioneve/verifikimeve të deritanishme dyshohet se personi në fjalë është djali i një zyrtari policor. Policia e Kosovës është duke punuar intensivisht në hetimin dhe zbardhjen e këtij rasti.

Fehmi B. Gashi, sot në orët e hershme të mëngjesit, dyshohet se ka hyrë për të grabitur në një shtëpi në Shtime. Më këtë rast, ai është përballur me pronarin e shtëpisë dhe vëllain e pronarit me ç`rast ka gjetur vdekjen. Gjatë kësaj përleshjeje ka mbetur i plagosur edhe pronari i shtëpisë A. Ndrecaj i cili është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Në shtëpinë e vëllëzërve Ndrecaj dyshohet se u vodhën 24 mijë franga zvicerane. Të dyshuarit e tjerë që ndihmuan në kryerjen e kësaj vepre ndodhen në arrati.

Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, tani për tani, Sinjali nuk e publikon fotografinë e viktimës./Sinjali/