Një vjedhje e rëndë që dyshohet se ka shkaktuar dëme enorme është zbuluar në Podujevë, ku cak i hajdutëve ka qenë shtëpia e një mërgimtari që jeton me familjen në Gjermani, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti është raportuar më 2 qershor në rrugën “Avdyl Lahu”, pasi pronari i shtëpisë, Q. H, ishte kthyer nga Gjermania dhe kishte vërejtur se shtëpia e tij ishte thyer dhe plaçkitur.
Sipas deklarimit të tij, nga shtëpia janë marrë një sasi e konsiderueshme stolish ari, por ajo që e bën rastin edhe më alarmant është fakti se hajdutët kanë arritur të marrin edhe katër armë zjarri me leje.
Bëhet fjalë për dy pistoleta, një pushkë gjuetie dhe një armë gjysmë automatike të shkurtër, të cilat mungonin në momentin kur pronari ka hyrë në shtëpi.
Menjëherë pas raportimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë reaguese, hetuesit rajonalë dhe ekspertët e forenzikës, të cilët kanë nisur ekzaminimin e detajuar të vendit të ngjarjes.
Gjatë kontrollit, policia ka arritur të gjejë një pjesë të stolive të arit dhe argjendit, të cilat i janë kthyer pronarit, por armët e zhdukura dhe pjesa tjetër e pasurisë ende nuk janë gjetur.
Sipas ankuesit, dëmi fillestar vlerësohej rreth 100 mijë euro, megjithëse pas rikuperimit të një pjese të stolive, shuma e saktë ende nuk është përcaktuar.
Me autorizim të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet janë përqendruar tashmë edhe në gjetjen e armëve të vjedhura, për shkak të rrezikut që ato mund të përfundojnë në duar të personave të papërgjegjshëm apo të përdoren në vepra të tjera penale.
Policia po vazhdon hetimet intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!