Një vjedhje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në një nga lokalet e rrjetit HEB’S në Podujevë, ku persona ende të paidentifikuar kanë depërtuar me forcë në objekt dhe kanë marrë arkën me mijëra euro, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur më 20 korrik, rreth orës 04:10, në kafiterinë HEB’S, e cila ndodhet brenda Qendrës Tregtare “Park Plazza”, në rrugën “Zahir Pajaziti”.
Rasti është raportuar në Polici, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë policore, të cilat kanë kontaktuar me menaxheren e pikës.
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, autorët dyshohet se kanë shkëputur dhe marrë arkën e fiksuar në mur, në të cilën ndodheshin rreth 10 mijë euro para të gatshme, të ardhura nga qarkullimi ditor i biznesit.
Përveç parave, grabitësit kanë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale, duke dëmtuar derën hyrëse dhe një pjesë të murit të lokalit, me një vlerë të vlerësuar rreth 5 mijë euro. Po ashtu është dëmtuar edhe një pajisje elektronike me vlerë rreth 6 mijë euro.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe krimteknika e Stacionit Policor në Podujevë, si dhe Njësia Rajonale e Hetimeve, të cilat kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe kanë mbledhur provat materiale.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!