image Ekskluzive | Goditet ish-stacioni i trenit në Ferizaj, hajnat dyshohet se vodhën pajisje e derivate me vlerë mbi 200 mijë euro

Ekskluzive

Ekskluzive | Goditet ish-stacioni i trenit në Ferizaj, hajnat dyshohet se vodhën pajisje e derivate me vlerë mbi 200 mijë euro

news image

Një vjedhje me përmasa të mëdha është raportuar në fshatin Gërlicë të Ferizajt, ku persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë vjedhur pajisje elektrike, elektronike, derivate dhe akumulatorë nga ish-stacioni i trenit, duke shkaktuar një dëm që kap vlerën mbi 200 mijë euro, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti është raportuar pasditen e 10 korrikut, rreth orës 17:05, ndërsa Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

Sipas denoncimit të bërë nga F. F., rreth 63-vjeçar, nga objekti i ish-stacionit hekurudhor, që i takon INFRAKOS-it, janë vjedhur:

një sasi e konsiderueshme e materialit elektrik dhe elektronik;

rreth 200 litra derivate nafte;

30 akumulatorë me kapacitet 700 amper.

Sipas vlerësimit fillestar të ankuesit dhe konstatimeve në vendin e ngjarjes, dëmi i shkaktuar kalon vlerën e 200 mijë eurove.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve dhe forenzikës së Stacionit Policor në Ferizaj, si dhe ekipet rajonale, të cilat kanë kryer ekzaminimet dhe kanë mbledhur prova materiale për identifikimin e autorëve.

Rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet janë në zhvillim për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave përgjegjës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/