Policia e Kosovës ka zbardhur dy raste të vjedhjeve të rënda që kishin shkaktuar dëme të mëdha financiare në Fushë Kosovë, duke arrestuar tre persona të dyshuar dhe duke rikuperuar një pjesë të mallrave të vjedhura, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rastet ishin raportuar gjatë muajit maj, pasi pronarët e dy depove të materialeve sanitare kishin denoncuar vjedhje të konsiderueshme të mallrave.
Sipas denoncimeve, persona të panjohur kishin depërtuar në depot e vendosura në rrugët “Tahir Zemaj” dhe “Rilindasit” në Fushë Kosovë, prej nga kishin marrë materiale të ndryshme për banjo dhe sanitari.
Vlera e dëmit të shkaktuar, sipas ankuesve, arrin në rreth 37 mijë euro.
Pas hetimeve intensive dhe grumbullimit të provave, njësia e hetimeve ka arritur të identifikojë dhe arrestojë tre persona të dyshuar: Jeton Krasniqin, Ramadan Krasniqin dhe Shkëlzen Krasniqin.
Sinjali mëson se pas arrestimit janë kryer bastisje në dy lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale që lidhen drejtpërdrejt me rastet e raportuara, përfshirë mallrat që dyshohet se ishin vjedhur nga depot.
Me vendim të Prokurorit kujdestar, dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari i tretë është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar për të zbardhur plotësisht aktivitetin e grupit dhe për të verifikuar nëse të dyshuarit mund të jenë të përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!