Gjykata Themelore në Prishtinë, ka lëshuar urdhërarrest kundër ish-prokurores e EULEX-it në Kosovë, Maria Bamieh, nën dyshimet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se lëshimi i urdhërarrestit nga gjyqtari i procedurës paraprake, është bërë në koordinim me misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX.
Sipas këtij urdhërarresti, që është lëshuar para disa ditësh, Gjykata urdhëron arrestimin dhe ndalimin e Bamieh, pasi e njëjta nuk është përgjigjur ftesës së Prokurorisë së Shtetit për intervistim, ndonëse kishte deklaruar se do t’i përgjigjet pozitivisht dhe do të bashkëpunojë me autoritet.
Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, prandaj Gjykata ka vendosur që të lëshojë urdhërarrest për ta kapur të dyshuarën, e cila ndodhet akoma në arrati.
Ndryshe, ish-prokurorja Bamieh i ka cilësuar të jashtëligjshme hetimet e Prokurorisë ndaj saj për shkak të imunitetit që ka thënë se gëzon nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
“Në lidhje me veprimin e fundit të një prokurori vendor në Kosovë, gëzoj imunitet nga Kombet e Bashkuara, të cilin nuk e kam hequr”, kishte thënë Bamieh në një deklarim në Facebook në muajin korrik. “Prandaj, çdo hetim penal kundër meje në lidhje me çështjet që lidhen me punësimin tim të mëparshëm pa hequr imunitetin tim është i kundërligjshëm”.
Rasti ndaj Bamieh kishte filluar të trajtohej pas denoncimit nga ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, i cili ishte hetuar nga një task-forcë e EULEX-it, të cilin e kishte udhëhequr Bamieh.
Ai, në emër të tij dhe të familjes e kishte akuzuar ish-prokuroren për zbulim në media të detajeve nga jeta e tyre private.
Në një konferencë për media në Prishtinë më 25 korrik të këtij viti, Maria Bamieh shpalosi detaje të marrëveshjes së saj me qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar lidhur me një kontest civil mes palëve.
Ajo mori 423 mijë funta nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar mbi pretendimet se qeveria britanike dështoi t’i ofrojë mbështetje pasi u përpoq të ekspozonte bashkëpunimin e mundshëm midis zyrtarëve të BE-së dhe kriminelëve të dyshuar në Kosovë.
Maria Bamieh ishte shkarkuar nga puna në Zyrën e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar pasi sinjalizoi për dyshimet për korrupsion në misionin më të madh të jashtëm të BE-së në Kosovë (EULEX).