Sinjali dje ka raportuar për zhdukjen e një të riu në Shtime, për gjetjen e të cilit babai i tij kishte kërkuar ndihmën e Policisë. Por, Gazeta Sinjali tashmë ka mësuar se 24-vjeçari, Shqiprim Llugaxhija është gjetur dhe është konfirmuar se është në gjendje të mirë shëndetësore, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë me dije se më 29 prill 2025, rreth orës 12:00, në Stacionin Policor në Shtime ishte paraqitur Shukri Llugaxhija, i cili kishte raportuar zhdukjen e djalit të tij që nga data 28 prill, ora 17:00, duke ngritur dyshime për sigurinë e tij.
Menjëherë pas raportimit, me urdhër të Prokurorit kujdestar, është iniciuar rasti si “Person i zhdukur”, ndërkohë që Policia ka ndërmarrë veprimet për lokalizimin e të riut.
Rreth orës 20:50, babai i të zhdukurit ka konfirmuar para Policisë se e kishte takuar djalin e tij, me të cilin kishin pirë kafe në një ëmbëltore në rrugën “Tahir Sinani” në Shtime, dhe më pas kishin qëndruar bashkë në parkun “Ahmet Shtimja”, ku familja ka një lokal.
Sipas deklaratës së babait, i riu vuan nga probleme shëndetësore, për të cilat është nën terapi, por nuk e ka ndjekur rregullisht trajtimin.
Ai shtoi se nuk dyshon që djali të jetë marrë me forcë dhe se gjendja e tij aktuale është e mirë.
Rasti është mbyllur si person i zhdukur i gjetur, ndërsa institucionet do të vazhdojnë të monitorojnë situata të ngjashme që lidhen me mirëqenien e personave në trajtim psikiatrik.
Gazeta Sinjali mbetet e angazhuar në raportimin e përgjegjshëm të rasteve që prekin jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!