Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kamenicë, ku një 14-vjeçar fillimisht u paraqit si i lënduar nga një mjet i fortë, por hetimet zbuluan se plagët dyshohet se ishin shkaktuar nga arma e zjarrit, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Rasti ka ndodhur më 9 maj 2026 në fshatin Busavat.
Burimet bëjnë të ditur se viktima, E. K (14-vjeçar) nga fshati Rogoqicë, ishte dërguar fillimisht për trajtim në QKMF-Kamenicë me lëndime në pjesën e qafës.
Sipas informatave, fillimisht ishte raportuar se ai ishte goditur me një mjet të fortë – armaturë.
Por pas transferimit në Emergjencën e Gjilanit dhe më pas në QKUK në Prishtinë, mjekët dyshuan se lëndimi ishte shkaktuar nga arma e zjarrit dhe për rastin u njoftua Policia.
Sinjali mëson se hetimet e Njësisë Hetimore në Kamenicë çuan në identifikimin e tre të dyshuarve Endi Maliqi (20-vjeçar), Shpend Isufi (20-vjeçar) dhe Ardi Bucolli (20-vjeçar).
Gjatë hetimeve, Policia ka lokalizuar armën që dyshohet se është përdorur në rast, si dhe një armë tjetër ajrore.
Në vendngjarje kanë dalë edhe Hetimet Rajonale dhe forenzika, të cilat kanë sekuestruar një armë zjarri, një gëzhojë dhe një armë ajrore.
Sipas vendimit të Prokurores Shpend Isufi dyshohet për “Armëmbajtje pa leje” dhe është ndaluar për 48 orë, Endi Maliqi dyshohet për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “Armëmbajtje pa leje” dhe po ashtu është ndaluar për 48 orë, ndërsa Ardi Bucolli dyshohet për “Moslajmërim të veprës penale” dhe është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti mbetet nën hetime.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!