Një rast i dyshuar i falsifikimit të dokumenteve është zbuluar në Gjakovë, ku një i ri dyshohet se kishte përgatitur një letërnjoftim të falsifikuar dhe e përdorte atë me identitet të rremë për t’iu shmangur organeve të rendit, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se gjithçka ka nisur më 2 qershor, kur zyrtarët policorë kanë gjetur pranë Stacionit Policor një letërnjoftim në emër të Bekim Krasniqit.
Gjatë verifikimit të dokumentit, policët kanë vërejtur se atij i mungonin elementet mbrojtëse holografike, ndërsa ngjyrat, përmasat dhe karakteristikat e tjera nuk përputheshin me një dokument origjinal të identifikimit.
Pas hetimeve dhe veprimeve operative, më 4 qershor policia ka siguruar deklaratën e vëllait të të dyshuarit, i cili ka pohuar se Florian Fila dyshohet ta ketë falsifikuar vetë letërnjoftimin dhe ta ketë përdorur me emër tjetër.
Sipas të njëjtit burim, dokumenti i rremë dyshohet se ishte përdorur për t’iu shmangur Policisë, pasi i dyshuari kërkohej në lidhje me një rast tjetër që lidhet me bashkëshorten e tij.
Me autorizim të Prokurorit kujdestar është iniciuar rasti për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, ndërsa Florian Fila është shpallur në kërkim policor.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!