Një intervenim policor në një lokal nate në Gjakovë ka eskaluar në tension, rezistencë dhe arrestime, pasi disa persona dyshohet se penguan Policinë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Ngjarja ka ndodhur pas mesnate, rreth orës 00:35, në lokalin “Komuniteti 112” në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë.
Sipas informatave, Policia kishte pranuar fillimisht informacion për prishje të rendit dhe qetësisë publike në lokal.
Burimet bëjnë të ditur se gjatë kontaktit të parë me të dyshuarin kryesor, L. D, situata ka nisur të tensionohet pasi i njëjti dyshohet se kishte ofenduar zyrtarët policorë me fjalë fyese.
Kur Policia e kishte paralajmëruar se do të arrestohej, ai dyshohet se është futur brenda lokalit për t’iu shmangur arrestimit.
Në ato momente, sipas Policisë, zyrtarët kanë hasur në rezistencë jo vetëm nga i dyshuari, por edhe nga persona të tjerë të pranishëm në lokal.
Sinjali mëson se për shkak të situatës së tensionuar, patrulla fillestare ka kërkuar përforcime dhe në vendngjarje kanë intervenuar edhe njësitë tjera policore.
Gjatë tentativës për arrestim, Policia pretendon se është penguar në kryerjen e detyrës zyrtare, ndërsa në pranga kanë përfunduar: L. S., rreth 49-vjeçar, G. D., rreth 20-vjeçar, dhe O.R., rreth 20-vjeçar.
Ndërkohë, i dyshuari kryesor L. D vazhdon të jetë në arrati.
Burimet bëjnë të ditur se për ta vënë situatën nën kontroll, Policia ka përdorur: forcë fizike, pranga, si dhe sprej zyrtar OC.
Në cilësinë e dëshmitarit është intervistuar edhe pronari i lokalit “Komuniteti 112”.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, tre të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!