image Ekskluzive | Era e tradhtoi në mesnatë – Policia i gjen cigare me marihuanë të riut në Podujevë

Ekskluzive

Ekskluzive | Era e tradhtoi në mesnatë – Policia i gjen cigare me marihuanë të riut në Podujevë

news image

Një kontroll rutinë policor pas mesnate ka çuar në zbulimin e një sasie të vogël të substancës së dyshuar narkotike në Podujevë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:05 në rrugën “Hakif Zejnullahu”, ku njësitë policore gjatë patrullimit kanë ndaluar një veturë Volkswagen me ngjyrë të zezë.

Sipas burimeve të Sinjalit, gjatë legjitimimit të drejtuesit të automjetit, Elvis Babatinca, zyrtarët policorë kanë vërejtur erë që dyshohej se vinte nga substanca narkotike.

I pyetur nga policët nëse posedonte ndonjë send të kundërligjshëm, i riu ka pranuar se kishte me vete një cigare të mbushur me substancë të dyshuar narkotike.

Pas matjes fillestare, është konstatuar se substanca e sekuestruar peshonte rreth 0.92 gram dhe dyshohet të jetë marihuanë.

Lënda është konfiskuar në cilësinë e provës materiale, ndërsa i dyshuari është shoqëruar dhe intervistuar nga hetuesit.

Me urdhër të Prokurores kujdestare, është iniciuar rasti për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/