Ngjarja makabre e dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë tronditi vendin. Pesë persona për rreth shtatë orë dyshohet se keqtrajtuan seksualisht të miturën. Dy prej tyre, vëllezërit Rexhepi përfunduan në paraburgim. Më pas, Sinjali mëson se u vetëdorëzuan edhe dy të dyshuarit e tjerë. Burimet nga Prokuroria thonë se edhe këta janë të mitur, si vëllai i Ekremit. Tashmë në duart e organeve të rendit janë katër persona, derisa i dyshuari i fundit ndodhet në arrati, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se dy personat e tjerë që u dorëzuan në orët e mbrëmjes janë të moshës 17-vjeçare dhe bëhet fjalë për G.J. dhe XH.S.
Dy të miturit të përfshirë në këtë rast të tmerrshëm u paraqitën në stacion policor, pasi e kuptuan se ishin shpallur në kërkim dhe Policia po kërkonte gjurmët e tyre. Pas dorëzimit në Polici, ata janë intervistuar dhe gjatë dhënies së deklaratave e kanë pranuar veprën për të cilën po dyshohen. Ndaj tyre Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit, shkruan Sinjali.
Në anën tjetër, Ekrem Rexhepi dhe vëllai i tij G.R., ndodhen nën masën e paraburgimit, vendim ky që u mor dje nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Ekremi që është emër i njohur për vepra të ngjashme po dyshohet se “ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e të dëmtuarës “në atë mënyrë që të pandehurin fillimisht e kishte thirrur në telefon vëllai i tij i mitur. Pastaj i pandehuri ka shkuar me (veturë) “PickUp” te parku në lagjen “Arbëria” në Prishtinë dhe e ka marrë me veturë vëllain e tij dhe të dyshuarit Xh. S. dhe G. J. të cilët ndodhen në arrati, dhe të dëmtuarën. Pastaj rrugës tek varrezat kanë zbritur i mituri dhe Xh. S. ndërsa i pandehuri së bashku me G. J. dhe të dëmtuarën janë larguar me veturë, ashtu që pas pak E. R. ka ndaluar veturën në një vend të panjohur dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën. Edhe pse e ka ditë që e dëmtuara është nën 14-vjeç”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.