Një rast i rëndë dhune në familje është raportuar pasditen e së hënës në qytetin e Gjakovës, ku situata mes palëve ka eskaluar në sulm fizik, kërcënime dhe përleshje mes burrit dhe vjehrrit.
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 2 qershor 2025, rreth orës 16:00, në rrugën “Ferid Domi”, ku viktima B. I. K., 28-vjeçare ka raportuar në polici se bashkëshorti i saj, A.K., 25-vjeçar e ka sulmuar fizikisht dhe e ka kanosur.
Pas sulmit, në banesë ka mbërritur edhe babai i saj, H.I., 52-vjeçar i cili është përleshur fizikisht me dhëndrin, duke e agravuar më tej situatën. Sipas dëshmisë së dhëndrit, gjatë konfliktit është shtyrë nga vjehrri nga dritarja e katit të parë.
Për shkak të lëndimeve të marra, A.K është dërguar në spital për trajtim mjekësor, ndërsa H.I është ndaluar nga Policia.
Viktima ka refuzuar strehimin dhe është kthyer në banesë bashkë me fëmijët e saj, në prani të punëtorit social.
Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, është iniciuar procedura për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa rasti po trajtohet nga njësitë përkatëse hetimore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!