Një rast i pazakontë është zbuluar në fshatin Bardhosh të Prishtinës, ku një 15-vjeçar dyshohet se, përmes kërcënimeve të vazhdueshme, i ka marrë një bashkëmoshatari rreth 20 mijë euro.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është A.K. (2011), ndërsa viktimë B.RR. (15-vjeç).
Sipas informacioneve, rasti dyshohet të ketë ndodhur gjatë periudhës 6 deri më 25 korrik, kur i mituri dyshohet se e detyronte vazhdimisht viktimën t’i jepte para, duke e kërcënuar me fjalë.
Rasti u zbulua pasi babai i viktimës, F. Rr. (1979), së bashku me djalin e tij, shkuan të bisedonin me babanë e të dyshuarit, për shkak të dyshimeve se djali i tij po i merrte vazhdimisht para të miturit.
Gjatë intervistimit në Polici, ankuesi ka deklaruar se shuma e përgjithshme që dyshohet se i është marrë djalit të tij arrin në rreth 20 mijë euro.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe intervistimit të palëve, lidhur me rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar për të Mitur.
Me urdhër të Prokurorit, është iniciuar rasti për veprën penale “Detyrim”, ndërsa 15-vjeçari është dërguar në mbajtje për 24 orë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!