Një ngjarje alarmante është denoncuar të shtunën në Gjilan, ku një vajzë e re dyshohet se është marrë pa dëshirë në veturë nga një 22-vjeçar dhe është larguar në drejtim të Prishtinës.
Sinjali mëson se më datë 7 qershor 2025, rreth orës 13:30, në rrugën “Haqif Tetova” në afërsi të ambulantës “Dardania 1”, i dyshuari A.Q. dyshohet se e ka marrë me forcë në veturën e tij “Golf V” me ngjyrë të zezë vajzën 19-vjeçare E. Sh, e cila është kushërirë e ankuesit që denoncoi rastin në Polici.
Sipas kallëzimit, vajza fillimisht ka arritur të kontaktojë përmes telefonit shoqen e saj, duke dhënë shenja shqetësimi, por menjëherë më pas telefoni i saj është fikur dhe nuk ka qenë më e arritshme.
Policia ka reaguar menjëherë dhe ka angazhuar njësinë e hetimeve rajonale për ndriçimin e rastit. Ndërkohë, prokurorja kujdestare ka urdhëruar që rasti të trajtohet si “Privim i kundërligjshëm i lirisë”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar me intensitet të shtuar.
Ende nuk dihet saktësisht se ku ndodhet vajza dhe cili është qëndrimi i të dyshuarit për ngjarjen.
Sinjali do të ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të mëtejshëm.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!