Një shofer autobusi është arrestuar në Pikën Kufitare të Merdarës, pasi dyshohet se pengoi një zyrtar policor gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për Arbër Vrajollin (24-vjeç).
Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur më 22 korrik, rreth orës 05:20, në Pikën Kufitare të Merdarës.
Bazuar në dëshmitë e dëshmitarëve, një zyrtar policor i kishte kërkuar shoferit të autobusit të kompanisë “Adio Tours” që të largonte udhëtarët nga pika kufitare, por ai dyshohet se nuk i ka zbatuar urdhrat dhe është përfshirë në një debat verbal me policin.
Për shkak të situatës, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në Stacionin Policor në Podujevë.
Siç mëson Sinjali, gjatë intervistimit, Arbër Vrajolli ka mohuar se ka kanosur zyrtarët policorë. Ai ka deklaruar se kishte kërkuar që, nëse do të largoheshin udhëtarët, të largoheshin të gjithë dhe jo vetëm një grua, siç i ishte kërkuar nga polici.
Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, ndërsa ai është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti mbetet nën hetim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!