image Ekskluzive: E kërcënon me armë automatike në oborrin e shtëpisë – Viktima lëndohet, Policia sekuestron AK-47 në Pejë

Ekskluzive

Ekskluzive: E kërcënon me armë automatike në oborrin e shtëpisë – Viktima lëndohet, Policia sekuestron AK-47 në Pejë

news image

Një ngjarje me elemente serioze kërcënimi dhe armëmbajtjeje pa leje është raportuar pasditen e 5 qershorit në fshatin Turjakë të Pejës, ku një person dyshohet se ka kanosur një të ri duke ekspozuar një armë automatike AK-47 në mënyrë të hapur. Gazeta Sinjali ka mësuar detaje ekskluzive për këtë rast, që tashmë po hetohet për “Kanosje” dhe “Mbajtje në pronësi dhe kontroll të paautorizuar të armëve”.

Sipas burimeve të Sinjalit, viktima M.K, 27 vjeçar ka raportuar se rreth orës 17:40, në oborrin e shtëpisë së tij ka arritur një veturë Golf 2, ngjyrë e kaltër, nga e cila ka zbritur i dyshuari E.B.

I dyshuari, sipas deklaratës, i është afruar me fjalë kërcënuese ndërsa në dorë ka mbajtur një armë automatike, me të cilën ka shkaktuar frikë të madhe tek familjarët.

Në përpjekje për ta ndaluar, nëna e viktimës i ka kapur armën, ndërsa viktima ka ndërhyrë për ta neutralizuar të dyshuarin, duke dëmtuar një xham të veturës së tij. Nga kjo përleshje e shkurtër, viktima ka pësuar lëndime në dorën e djathtë dhe ka marrë trajtim mjekësor.

I dyshuari ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes, por njësitë policore kanë ndërhyrë menjëherë dhe në vendin e ngjarjes kanë sekuestruar një armë automatike AK-47, pa numra serikë, dhe një predhë të gjallë.

Policia ka tentuar ta lokalizojë të dyshuarin në shtëpinë e tij, por nuk ka arritur ta kontaktojë. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është vendosur që të bëhen patrullime të rregullta pranë shtëpisë së viktimës dhe rasti të trajtohet në procedurë të rregullt deri në lokalizimin e personit të dyshuar.

Sinjali do të raportojë më tej nëse i dyshuari bie në prangat e Policisë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/