image Ekskluzive | E goditi me kubëz betoni në kokë para lokalit “Ten Ten” në Gjilan, arrestohet në aeroport i dyshuari që ishte arratisur në Shqipëri

Sinjalizime

Ekskluzive | E goditi me kubëz betoni në kokë para lokalit “Ten Ten” në Gjilan, arrestohet në aeroport i dyshuari që ishte arratisur në Shqipëri

news image

Një 25-vjeçar ka përfunduar në prangat e Policisë pasi dyshohet se muaj më parë kishte plagosur rëndë një bashkëmoshatar në Gjilan dhe më pas ishte arratisur jashtë Kosovës.

Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se ngjarja kishte ndodhur më 14 maj 2026 para kafiterisë “Ten Ten” në rrugën “Lufta e Gjilanit” në Gjilan.

Sipas hetimeve, pas një mosmarrëveshjeje që lidhej me një motoçikletë, Lorent Cana kishte shkuar para lokalit bashkë me dy persona të tjerë. Konflikti verbal mes palëve kishte eskaluar, ndërsa i dyshuari dyshohet se kishte marrë një kubëz betoni me përmasa rreth 20 x 25 centimetra dhe e kishte goditur A. Sh. në kokë.

Si pasojë e goditjes, viktima kishte pësuar lëndime të rënda në pjesën e hundës dhe ballit. Pas trajtimit fillestar në Emergjencën e Gjilanit, ai ishte transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale dhe qëndroi për trajtim për dhjetë ditë.

Pas incidentit, i dyshuari ishte larguar nga Kosova dhe, sipas burimeve, ishte arratisur në Shqipëri. Për lokalizimin e tij, Njësia e Hetimeve në Gjilan kishte lëshuar kërkim policor.

Megjithatë, arratisja e tij mori fund më 3 qershor 2026, rreth orës 14:00, kur ai u identifikua dhe u arrestua nga Policia Kufitare në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, derisa po tentonte të udhëtonte drejt Zvicrës.

Pas arrestimit, ai u shoqërua në Gjilan, ku u intervistua në prani të avokatit mbrojtës. Sipas burimeve, gjatë intervistimit i dyshuari e ka pranuar në tërësi veprën penale që i vihet në barrë.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe i njëjti është dërguar në Qendrën e Ndalimit.

Rasti po hetohet si “Lëndim i rëndë trupor”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/