Dyshimet për helmimin e disa qytetarëve në Han të Elezit kanë çuar në nisjen e një hetimi penal, ndërsa pronari i një lokali ushqimor është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Sami Bushin (1984), pronar i lokalit “Best Pizza” SHPK, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Han të Elezit.
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, edhe pse në Stacionin Policor nuk është paraqitur asnjë kallëzim nga persona që pretendojnë se janë helmuar, hetuesit, pas mbledhjes së informatave në terren dhe verifikimeve në QKMF “Mendu Kaloshi”, kanë ngritur dyshime se disa raste mund të lidhen me ushqimin e konsumuar në këtë lokal.
Në kuadër të hetimeve, pronari i lokalit është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Me konsultim dhe urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti për veprën penale “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimor”.
Hetimet janë në fazën fillestare dhe autoritetet po punojnë për të sqaruar nëse ekziston lidhje mes rasteve të dyshuara të helmimit dhe ushqimit të shërbyer në këtë lokal. Për momentin, nuk ka konfirmim zyrtar se helmimi është shkaktuar nga produktet e “Best Pizza”, ndërsa rasti mbetet nën hetim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!