Një incident i rëndë është raportuar pasditen e 21 majit në fshatin Vllashtë të Novobërdës, ku një qytetar ka dëgjuar të shtëna me armë pranë shtëpisë së tij dhe më pas ka gjetur qenin e vrarë, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se ankuesi, B. Vllasaliu, ka deklaruar në Polici se kishte dëgjuar dy të shtëna armësh në afërsi të shtëpisë së tij.
Sipas tij, menjëherë pas krismave kishte parë përmes dritares një motor sportiv të zi, mbi të cilin ndodheshin dy persona të panjohur me helmeta në kokë.
Pak më vonë, rreth 200 metra larg shtëpisë, ai ka gjetur qenin e tij të vrarë dhe dyshon se personat në motor kanë shtënë ndaj kafshës para se të largoheshin në drejtim të panjohur.
Në vendin e ngjarjes Policia ka gjetur dy gëzhoja të armës së kalibrit të vogël.
Rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit hetimet i janë deleguar njësisë hetimore për zbardhjen e rastit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!