image Ekskluzive | Dy të rinj tentojnë të vjedhin në Viva Fresh, njëri kapet me armë në brez, tjetri në arrati

Ekskluzive

Ekskluzive | Dy të rinj tentojnë të vjedhin në Viva Fresh, njëri kapet me armë në brez, tjetri në arrati

news image

Një tentativë për vjedhje në një market në Prishtinë ka përfunduar me arrestimin e një 20-vjeçari, te i cili Policia gjeti edhe një armë zjarri, ndërsa bashkëpunëtori i tij arriti të largohej dhe vazhdon të kërkohet, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i arrestuari është Rron Ballovci, 20 vjeçar, ndërsa i dyshuari tjetër është Artin Ramadani, i cili ndodhet në arrati.

Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur pasditen e 23 korrikut, në marketin “Viva Fresh Store”, në rrugën “Pranvera e Lirisë”, në fshatin Bardhosh të Prishtinës.

Bazuar në deklaratat e dëshmitarëve, dy të rinjtë dyshohet se kanë hyrë në market me qëllim kryerjen e një vjedhjeje, por janë penguar nga sigurimi. Gjatë ndërhyrjes, Rron Ballovci është neutralizuar dhe mbajtur në vend nga sigurimi, ndërsa bashkëpunëtori i tij ka arritur të ikë.

Gjatë kontrollit, Policia i ka gjetur të dyshuarit një pistoletë të tipit “Zoraki”, së bashku me një karikator dhe katër fishekë, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.

Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit ndaj Rron Ballovcit është iniciuar procedurë për veprat penale “Vjedhje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armës”, ndërsa i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndërkohë, Policia është në kërkim të Artin Ramadanit, i cili dyshohet se ishte bashkëpunëtor në këtë rast.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/