Një operacion i madh i Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë ka rezultuar me arrestimin e dy shtetasve të huaj, të dyshuar për rrëmbim, armëmbajtje pa leje dhe posedim narkotikësh, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur se rasti është zbuluar pas informacioneve të pranuara më 18 maj 2026, ku dyshohej se viktima ishte rrëmbyer dhe mbahej kundër vullnetit të tij në një banesë në rrugën “Shaqir Igrishta” në Prishtinë.
Sipas hetimeve, të dyshuarit kishin kërkuar mjete financiare në këmbim të lirimit të viktimës.
Pas identifikimit të lokacionit, hetuesit e DHKOK kanë realizuar bastisje në banesën ku dyshohej se po mbahej viktima.
Gjatë aksionit, Policia ka gjetur jo vetëm viktimën e parë, por edhe një person tjetër që po ashtu dyshohet se mbahej nga të dyshuarit.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: një armë “Zoraki 906”, 23 fishekë, tetë telefona mobil, dy pasaporta, një e Nepalit dhe një e Bangladeshit, si dhe një sasi e substancës së dyshuar narkotike marihuanë me peshë 2.1 gram.
Të dyshuarit, të identifikuar si Ali Hasan Hamza Ahmed Ahmad Gil Toseet Ahmed, në momentin e arrestimit nuk kanë poseduar dokumente identifikuese, ndërsa identiteti i tyre është regjistruar bazuar në deklarimet që kanë dhënë para Policisë.
Me vendim të Prokurorit të Krimeve të Rënda në Prishtinë, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!