Një ngjarje shqetësuese është regjistruar të hënën paradite në ambientet e shkollës fillore “7 Marsi” në fshatin Poturovc të Lipjanit, ku dy nxënës të mitur janë sulmuar fizikisht nga një person i rritur.
Burimet e Sinjalit brenda Policisë bëjnë me dije se më 9 qershor 2025, rreth orës 12:00, është raportuar një rast i rrahjes në oborrin e shkollës, ku të miturit A.J., 15 vjeçar dhe D.A., 15 vjeçar nga fshati Torinë, kanë deklaruar se janë sulmuar nga i rrituri Hysni Ilazi, 37 vjeçar, gjithashtu banor i këtij fshati.
Pas marrjes së informacionit, patrulla policore ka ndërhyrë në vendin e ngjarjes, ndërsa viktimat janë dërguar në Stacionin Policor së bashku me prindërit e tyre, ku janë intervistuar në prani të Qendrës për Punë Sociale (QPS).
Sipas burimeve, të miturit kanë paraqitur raporte mjekësore që konfirmojnë lëndime trupore. Lidhur me rastin është kontaktuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e hetimeve për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, si dhe ndalimin e të dyshuarit për 48 orë në mbajtje në Lipjan.
Hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar motivin e incidentit dhe rrethanat e sulmit brenda ambienteve shkollore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/GazetaSinjali/