image Ekskluzive: Djali i ‘bossit’ të bixhozit në Prizren futet në telashe me Policinë - Sinjali sjellë detajet

Siguri

Ekskluzive: Djali i ‘bossit’ të bixhozit në Prizren futet në telashe me Policinë – Sinjali sjellë detajet

news image

Para një muaji, ndaj Safet Kyçykut, i njohur si ‘bosi’ i kazinove në rajonin e Prizrenit, djali i tij dhe grupi i arrestuar në vitin 2022 për bixhoz të paligjshëm, u ngrit aktakuza nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Me të kaluar kriminale dhe i përfshirë  në vepra penale që ndërlidhen me krimin e organizuar, Safet Kyçyku dyshohet se ka vazhduar ta ushtrojë këtë veprimtari. Futjen në telashe me organet e rendit nuk e kanë fort problem dhe rasti i fundit lidhet me djalin e tij, raporton Gazeta Sinjali.

Siç merr vesh Sinjali, djali i tij 24-vjeçar, të shtunën, pas mesnate ka përfunduar në Polici, nën dyshimet për pengim të zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Adem Jashari” në Prizren, ku i dyshuari është ndaluar nga një patrullë për kontroll policor.

Pas verifikimit, Ilirjan Kyçyku dyshohet se ka kanosur dhe penguar patrullën policore, pasi u zbulua se vetura me të cilën ishte duke lëvizur s’kishte regjistrimin adekuat.

Për të mos mbaruar me kaq, i njëjti ka kundërshtuar zyrtarët policorë që po kryenin detyrën dhe për pasojë është shoqëruar në stacion policor.

24-vjeçari është intervistuar dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është lënë i lirë për t’u hetuar në procedurë të rregullt.

Sinjali ka kërkuar përgjigje edhe nga Prokuroria Themelore në Prizren, me ç’rast është konfirmuar inicimi i hetimit në drejtim të veprës penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

“Referuar kërkesës tuaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren, ka inicuar rast për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 401, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Rasti është duke u trajtuar dhe hetuar nga prokuroria.”

Rasti është bërë i ditur edhe nga Policia Rajonale në Prizren.

“I dyshuari mashkull kosovar gjatë një kontrolle në trafik, ka kanosur zyrtarët policorë gjatë detyrës. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.”

Ndryshe, Prokuroria Speciale më 23 tetor ka njoftuar për ngritjen e aktakuzës.

Bashkë me Safetin dhe Ilirjanin, akuzohet edhe zyrtari policor Luan Bytyqi dhe 13 persona të tjerë, Visar Tabaku, Armend Danqeli, Agim Suka, Demokrat Kurtaj, Enis Gunaj, Hetem Xhekaj, Adem Gashi.

Sipas aktakuzës Safet Kyçyku dhe polici Luan Bytyqi akuzohen për kryerjen e veprës penale “Fajdeja në tentativë, në bashkëkryerje”.

Kyçyku akuzohet me tre të tjerë edhe për veprën penale “Shpëlarja e parave”, ndërsa Bytyqi edhe për kryerjen e veprave penale “Detyrim” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve.”

“Sipas aktakuzës të pandehurit: I S.K,  I.K,  P.K,  A. D,  D.K,  B.K,  A.S,  V.T,   A.G,  H. Xh,  M. K,  D.K, akuzohen se kanë kryer veprën penale: Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. Të pandehurit S. K dhe L. B akuzohen për kryerjen e veprës penale: Fajdeja në tentativë, në bashkëkryerje. I pandehuri L.B. akuzohet edhe për kryerjen e veprave penale: Detyrim dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve.

Gjithashtu, të pandehurit S.K. , E.G. dhe S.G. V. H. dhe L. K. akuzohen se kanë kryer veprën penale:  Shpëlarja e parave. Ndërkaq, i pandehuri B.K. akuzohet se ka kryer edhe veprën penale: Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim  të pa autorizuar të armëve. Në këtë rast janë konfiskuar: Pajisje elektronike; Para të gatshme dhe para në llogaritë bankare; Tokë me sipërfaqe prej 1285 m2; Shtëpi me sipërfaqe prej 306 m2, si dhe 6 banesa.” 

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/