image Ekskluzive: Disa nga fotot dhe bisedat e ‘nxehta’ të anëtarit të KGJK-së me gruan që i premtoi ta çojë në Supreme

Siguri

Ekskluzive: Disa nga fotot dhe bisedat e ‘nxehta’ të anëtarit të KGJK-së me gruan që i premtoi ta çojë në Supreme

news image

Gazeta Sinjali sot raportoi për aferën në të cilën është përfshirë anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Vilard Bytyqi, marrëdhënien e tij jashtëmartesore me një grua dhe shkeljen e Kodit të Etikës dhe Sjelljes Profesionale – që parashihet ta respektojë e zbatojë me rigorozitet edhe në jetën private, përveç asaj publike. Artikulli që i referohet Bytyqit zbulon fotografi e komunikime mes tij dhe një gruaje, raport ky që e kishte mbajtur për një periudhë të caktuar para një kohe dhe që përfshinë biseda jo vetëm personale, por edhe për politikë e drejtësi.

Provat e mëposhtme të siguruara nga Gazeta Sinjali dëshmojnë sjelljen joetike të Bytyqit, duke shkelur kështu parimet e përgjithshme, mbi të cilat duhet të veprojë që të ruajë dhe të promovojë besimin e publikut në dinjitetin e integritetin e Këshillit.

Vilard Bytyqi dyshohet se ka mbajtur një raport jashtëmartesor me një grua, me të cilën ka zhvilluar biseda në rrjetin social “Instagram”, ku përveç që nuk ka shmangur një marrëdhënie të tillë në jetën e tij private, i njëjti ka shpalosur informacione për mënyrën e organizimit të mbledhjeve të KGJK-së, madje në një rast ka treguar se siç duket ka pushtet.

Në bisedën për një konkurs për gjyqtarë në Gjykatën Supreme, Bytyqi kishte shprehur gatishmëri se mund të ndikojë në përzgjedhje, nëse personi në fjalë do të ishte në garë.

Siç shihet më poshtë, anëtari i KGJK-së i drejtohet gruas me të cilën komunikonte se Tash secili mundet me pas ndonjë kandidat tutje me përkrah, ama me shku ashtu problem është me ia akomodu interesat e kërkesat e të gjithve. T’ishe ti në Supreme t’kisha qu”, duke mos shmangur situata të tilla që vënë në pikëpyetje paanshmërinë e tij.

Në pjesë të tjera të këtyre bisedave, Bytyqi ka folur për mënyrën e diskutimit në mbledhjet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, teksa s’ka ngurruar të tregojë se si sipas tij ai dhe një anëtar tjetër e rivalizojnë gjatë diskutimeve kryetarin e Këshillit, Albert Zogajn.

“Alberti askënd se ka kundër në këshill. Se gjithçka diskutohet dh bisedohet, ka konsensus të plotë. Në fakt veç unë dhe njëri në diskutime e rivalizojmë, veç 4 marrim pjesë në diskutime. Në mbledhje veç qëndrime shprehen. Na e përkrahim plotësisht, se ai vetëm sen s’mundet me bo.

Një anëtar i Këshillit e ka të ndaluar të përdorë pozitën e tij/saj apo informatat e pranuara përmes pozitës së anëtarit të Këshillit për çfarëdo përfitimi personal ose për ndonjë person tjetër apo organizatë.

Kjo siç duket nuk vlen për Bytyqin. Në një bisedë virtuale, ai ka treguar se KGjK merr komente për punën që zhvillon nga Brukseli e Washingtoni, derisa ka përmendur edhe një vendim që në ditën kur është zhvilluar biseda, ende s’ishte marrë.

“Ne marrim komente nga Brukseli e Washingtoni, për atë që bëjmë, na ndryshe jemi. Publiku se din si shkojnë disukutimet ma përpara. Kjo është si mbledhja e Qeverisë. E kemi seancën për me suspendu ***”.

Komunikimi mes Bytyqit dhe personit në fjalë ka shkuar edhe më tej, në krijimin e një raporti jashtëmartesor, ku flet për martesën e tij, gruan shtatzënë e takimet që planifikonte t’i zhvillonte.

Edhe këtu, janë shkelur dispozitat e Kodit të Etikës, të cilat vlejnë për çdo anëtar të Këshillit, jo vetëm në aktivitetet profesionale, por edhe në jetën private, meqë çdo veprim i pahijshëm dëmton imazhin e KGJK-së.

“Të pres kur jam vetëm, më se largu në vikend besoj. E di që përderisa ka tërheqje këso fare, e di që kënaqemi kur jemi fizikisht. Nëse mos më mungo pasdite..Unë jam i gatshëm për ty, me përjetu kënaqësi. Është e rëndësishme me e bo atë që na kemi qejf dytë. Kjo na plotëson. Se tash psh jam me nuse në banesë, nuk mundem me thonë fjalë përtej asaj që duhet…”

Sjellja e Bytyqit mund të konsiderohet si e pahijshme, sepse edhe pse një gjë e tillë nuk është përshkruar në Kodin e Etikës, vlen të ceket se çdo veprim i tillë, edhe nëse nuk parashihet shprehimisht, mund të konsiderohet shkelje dhe për rrjedhojë mund të sanksionohet.

Për korrespodencën në fjalë, Sinjali i ka dërguar pyetje kryesuesit të KGJK-së, Zogajt, nëse të tilla raste bien ndesh me Kodin e Etikës për anëtarët e Këshillit dhe çfarë pasojash mund të ndërmerren, por i njëjti është përgjigjur shkurt se standardet e Etikës vlejnë për të gjithë anëtarët.

“Pa paragjykuar korrespodencën të cilën ne nuk e kemi të njohur dhe pa paragjykuar potencialisht përfshirjen e anëtarit të KGjK-së në korrespodencat e papërshtatshme, ju njoftoj që standardet e Etikës vlejnë për të gjithë anëtarët.” – thuhet në përgjigjen e Zogajt.

Gazeta Sinjali posedon gjithë korrespodencën me foto dhe biseda të Vilard Bytyqit me personin në fjalë, por nuk do ta publikojë të plotë për shkak të nivelit të bisedës.

/GazetaSinjali/