Gazeta Sinjali ka siguruar detaje ekskluzive lidhur me incidentin e ndodhur në Podujevë mes një grupi të miturish, ku fillimisht u raportua për tetë të përfshirë, ndërsa tashmë numri i të dyshuarve ka shkuar në nëntë.
Sipas burimeve të sigurta, rasti ka ndodhur më 05 maj 2025, rreth orës 17:10, dhe të përfshirë janë persona të moshës 15 deri në 18 vjeç. Motivi i përplasjes, sipas deklarimeve të tyre, ka qenë një konflikt verbal – sharje dhe ofendime të ndërsjella.
Tetë nga të përfshirët janë nxënës të shkollave të mesme, ndërsa njëri prej tyre e ka përfunduar shkollën. Edhe pse pati përplasje fizike, asnjëri nga të miturit nuk ka pësuar lëndime serioze dhe nuk ka kërkuar trajtim mjekësor.
Burimet e Sinjalit konfirmojnë se gjatë hetimeve është përmendur përdorimi i një boksi të hekurit dhe një mjeti të prehtë – thikë. Deri tani, boksi i hekurit është sekuestruar, ndërsa thika nuk është gjetur ende.
Të miturit janë intervistuar në prani të prindit, përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale dhe avokatit.
Lidhur me këtë, janë njoftuar dy prokurorë – ai i departamentit për të mitur dhe ai i departamentit të përgjithshëm, të cilët kanë udhëzuar që të hapet rasti me dy vepra penale si “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndërkohë, të gjithë të dyshuarit janë liruar me procedurë të rregullt.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!