Familja Buquku nga Peja, konkretisht biznesmeni Jeton Buquku, vëllai i tij Egzon Buquku dhe babai i tyre Enver Buquku, pritet të përballen me Demë Elshanin në një betejë ligjore që ka nisur ky i fundit. Konflikti ka lindur pas akuzave të Jeton Buqukut se tri incidentet e ndodhura te bizneset e tyre janë të porositura nga Demë Elshani. Këto raste po dyshohet se u inskenuan nga Buqukët për ta shlyer borxhin rreth 2 milionësh që kanë ndaj Elshanit, për çka tashmë ekziston një kallëzim penal, raporton Gazeta Sinjali.
Nipi i Demë Elshanit, Qendrim Elshani, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Pejë, kundër Enver, Jeton dhe Egzon Buqukut, duke i akuzuar se kanë deklaruar rrejshëm në dëshmitë që kanë dhënë për incidentet e ndodhura, me qëllimin që të ikin nga përgjegjësia për kthimin e borxhit dhe ta ngarkojnë Demë Elshanin se ka kryer vepër penale.
Në dokumentin e siguruar ekskluzivisht nga Sinjali thuhet se familja Buquku ka pasur raporte miqësore me Demë Elshanin që nga viti 1997, pasi kanë qenë fqinj, por marrëdhëniet e tyre kanë ndryshuar pasi në vazhdimësi “kanë marrë borxh në para, në shuma të konsiderueshme nga Demë Elshani dhe familja e tij, e cila vlerë e borxhit në total arrin shumën prej afër 2 milion euro”.
Sipas kallëzimit penal, personi Labinot Lushaj, i cili ka punuar si menaxher i shitjes te Demë Elshani, të hollat që janë fituar nga shitja e makinerive nga marsi 2009 deri në vitin 2015, ia ka huazuar në shuma të konsiderueshme familjes Buquku, konkretisht, Enverit, Jetonit dhe Egzonit.
Tutje, siç thuhet në dokument, nga viti 2009, Jeton Buquku ka kërkuar nga Elshani, që “t’ia dërgonte motrës së tij dhe dhëndrit shumën prej 11 mijë euro, si huazim, me arsyetimin se iu nevojiten për rregullimin e dokumentacionit (fitimin e leje qëndrimit në Francë)”.
Ndërsa në vitin 2012, Demë Elshani pretendon se Labinot Lushaj ia ka dhënë Jeton Buqukut 5 mijë euro, me arsyetimin se do ta kthejë një borxh. Kurse në vitin 2013, bazuar në kallëzimin penal, thuhet se Jeton Buquku ka marrë në shfrytëzim nga Elshani një gjenerator që kap vlerën e 55 mijë eurove, “të cilin as nuk e ka kthyer dhe as nuk e ka paguar”.
Sipas Elshanit, kjo makinë ndodhet në fabrikën e familjes Buquku në fshatin Cigë të Pejës, ku ishte raportuar se ishte hedhur një granatë, për çka Buqukët e akuzojnë Demën se e ka porositur, ndërsa ai thotë se ajo çka është deklaruar është e rremë.
Në kallëzim penal tutje thuhet se po atë vit, në mars 2013, Jeton Buquku ka marrë nga Labinot Lushaj 27 mijë euro dhe ka shkuar në Valencia të Spanjës, ku është takuar me Demë Elshanin. Atje, sipas Demë Elshanit, ka blerë mish derri dhe e ka transportuar fillimisht në Vlorë dhe më pas e ka sjellë në Kosovë. Përveç 27 mijë eurove, thuhet se Jeton Buquku ka marrë edhe 16 mijë euro, që në total kap vlerën e 43 mijë eurove.
Sipas kallëzimit penal, pas një muaji, konkretisht në prill, Labinot Lushaj ia ka dhënë Jetonit edhe 11 mijë e 900 euro si huazim për t’i paguar punëtorët, ndërsa në maj 2013, thuhet që Buquku ka marrë edhe 10 mijë euro, para të Demë Elshanit, “me arsyetim që Jetoni ka pas nevojë të furnizohet me mish”.
Në këtë dosje përmendet edhe një rast tjetër, për një shumë prej 20 mijë eurove, që Jeton Buquku ka marrë nga Demë Elshani, si borxh me urgjencë, për shkak të një problemi me përmbaruesin – para këto që Dema thotë se ia ka dhënë Jetonit përmes nënës së tij.
Po ashtu, në këtë kallëzim penal janë cekur edhe raste të tjera, me shuma të ndryshme që pretendohet se janë marrë nga Jeton Buquku për të paguar borxhet e tij, raporton Gazeta Sinjali.
Tutje, thuhet se po në vitin 2013, Jeton Buquku, bashkë me Labinot Lushajn dhe dy të tjerë kanë shkuar në Francë, ku kanë kërkuar një veturë të tipit Range Rover, në vlerë të 90 mijë eurove, për ta shfrytëzuar Egzon Buquku.
Kjo veturë, sipas Elshanit, ishte gjuajtur me armë zjarri në vitin 2016 për shkak të një konflikti që Egzon Buquku ka pasur me të dyshuarin e atij rasti. Për pasojë, thuhet se familja Buquku e kishte dhënë më pas hotelin Holiday në Fushë Kosovë, si këmbim.
Gjithnjë sipas kallëzimit penal, Jeton Buquku edhe në raste tjera ka marrë para nga Labinot Lushaj, në njërin rast pa lejen e Elshanit, që në total pretendohet se bëhet fjalë për 24 mijë e 650 euro.
Ndërsa në vitin 2014, thuhet se Jeton Buquku bashkë me familjen e tij, kanë shkuar për pushime në shtëpinë e Demë Elshanit në Spanjë dhe pas pushimeve, sipas Elshanit, Buquku ka blerë mish derri, duke paguar 45 mijë euro, para këto që i ka huazuar nga ai.
Gjithashtu, përmendet edhe një veturë që thuhet se Jeton Buquku e kishte marrë në shtëpinë e Demë Elshanit, derisa ai nuk ka qenë i pranishëm, duke pretenduar se “kurrë nuk e kanë kthyer dhe kurrë nuk e kanë paguar”, thotë kallëzimi penal.
Kurse në tetor të vitit 2015, Demë Elshani e akuzon Buqukun për një borxh tjetër prej 37 mijë eurove, para këto që pretendohet se ia ka dhënë si huazim për angazhimin e një avokati, gjatë kohës kur Egzoni ka qenë në paraburgim në Gjermani.
Po atë vit, në muajin nëntor, thuhet se Demë Elshani, përmes shitjes së dy kamionëve, në vlerë prej 190 mijë euro dhe 85 mijë euro, shuma këto që pretendohet se i janë dorëzuar Jeton Buqukut, për pagesën e tokës që e kishte vlerë Dema në fshatin Vitomiricë dhe proceduarat e tjera – që sipas tij nuk janë kryer kurrë nga Jetoni.
Gjithashtu përmendet një borxh prej 450 mijë eurove për blerjen e hotelit ‘Holiday’, proces ky që do të duhej ta kryente Jetoni dhe ta përkthente në emër të Demës, por një gjë e tillë sipas Elshanit nuk ka ndodhur kurrë, pasi siç thotë “Jetoni e bleu hotelin, por u shpall vet pronar”.
Tutje është përmendur edhe një borxh tjetër për një gjenerator në pronësi të Elshanit në vlerë prej 250 mijë euro, të marrë në shfrytëzim nga Jeton Buquku, pa dijeninë e Demës, i cili thuhet se as nuk është kthyer e as nuk është paguar. Madje, thuhet se është ndërruar me mish, përmes një marrëveshje me një fabrikë të mishit në Rahovec.
Borxhi tjetër i përmendur nga Demë Elshani lidhet me një ekskavator në pronësi të tij, që pretendon se e kishte marrë Jeton Buquku për t’i kryer disa punime te fabrika në Cigë dhe më pas thuhet se e ka shitur për 65 mijë euro.
Në këtë kallëzim penal përmendet edhe një pjesë e dëshmisë së Jeton Buqukut të dhënë si viktimë për incidentet te bizneset e tij, ku sipas Demë Elshanit ka deklaruar rrejshëm se nuk ka pasur kontakt me të që nga viti 2010, pasi në vitin 2016 janë takuar në Spanjë.
Sipas Elshanit, Buquku kishte shkuar në Valencia, ku e ka pritur dhe ia ka prezantuar listën me borxhet ndaj tij, ku ndër të tjera thotë se Jetoni i ishte drejtuar me fjalët “sot po pijmë raki e nesër kusuritem”.
Dema dhe Jetoni pretendohet se megjithatë i kanë diskutuar borxhet, për çka sipas kallëzimit penal, Buquku ka kërkuar nga Elshani që të pranojë që ta paguajnë borxhin, duke e kthyer me patundshmëri. Në këtë rast, Dema thuhet se ka pranuar, por ka kërkuar që borxhi të kthehet me patundshmëritë që i kanë blerë me paratë e tij.
Ditën e nesërme, Demë Elshani pretendon se Jeton Buquku ka ikur nga hoteli në Spanjë.
Tutje, Elshani thotë se Jetoni e kishte telefonuar duke i thënë se nuk po arrin që ta shlyejë borxhin, pasi babai i tij, Enveri, ka vendosur që pasurinë e familjes ta ndajë edhe për vajzat e tij.
Në këtë kallëzim penal prej shumë faqesh, thuhet po ashtu se Egzon Buquku në një bisedë që ka pasur me Demë Elshanin, i është drejtuar me fjalët “kurrë ato pare nuk kemi me t’i la, ose kena me të qu në burg ose kem me të vra. Qoma lokacionin se vijmë atje e të vrajmë, me pas ditë ku je moti të kishim vra”.
Qendrim Elshani ka bashkangjitur edhe dëshmi që pretendojnë se mbështeten akuzat e Demë Elshanit për borxhin e familjes Buquku ndaj tij, duke kërkuar që të iniciohet procedura dhe të hetohen rastet e përmendura.
Sinjali e ka kontaktuar Jeton Buqukun për të marrë një deklaratë, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.
Gazeta Sinjali do të iu mbajë të informuar nëse Prokuroria Themelore në Pejë do të vihet në lëvizje lidhur me këtë çështje.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.