image Ekskluzive | Del i dehur nga lokali dhe shtien me armë në ajër në Rogovë të Gjakovës– Policia gjen 8 gëzhoja, 39 vjeçari arrestohet të nesërmen

Siguri

Ekskluzive | Del i dehur nga lokali dhe shtien me armë në ajër në Rogovë të Gjakovës– Policia gjen 8 gëzhoja, 39 vjeçari arrestohet të nesërmen

news image

Të shtëna me armë zjarri kanë alarmuar banorët e fshatit Rogovë të Gjakovës mbrëmjen e 19 majit, kur një person dyshohet se, nën ndikim të alkoolit, ka dalë nga një lokal dhe ka shtënë disa herë në ajër, raporton Gazeta Sinjali.

Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se rreth orës 21:50 Policia ka pranuar informatë për gjuajtje me armë në rrugën “Haxhi Hoti”.

Kur patrulla ka arritur në vendin e ngjarjes, në asfalt janë gjetur tetë gëzhoja të kalibrit 7.65 mm, ndërsa i dyshuari ishte larguar nga lokacioni.

Sipas dëshmitarëve, bëhet fjalë për Liridon Kryeziun, i cili dyshohet se kishte qenë nën ndikim të alkoolit dhe pas daljes nga lokali kishte nxjerrë armën duke shtënë në ajër.

Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar hetuesit dhe krimteknika, të cilët kanë dokumentuar provat dhe kanë sekuestruar gëzhojat.

Pas një pune operativo-hetimore, Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin më 20 maj, ndërsa gjatë arrestimit ai ka dorëzuar edhe armën me të cilën dyshohet se kishte shtënë një natë më parë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, 39-vjeçarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për veprat “Përdorim i armës” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.

Rasti mbetet nën hetime.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/