image EKSKLUZIVE | Dasma me krisma në Prishtinë: “ Unë gjuajta”, e pranon 38-vjeçari para Policisë

Siguri

EKSKLUZIVE | Dasma me krisma në Prishtinë: “ Unë gjuajta”, e pranon 38-vjeçari para Policisë

news image

Të shtënat me armë në ahengje vazhdojnë të shndërrojnë festat në raste policore.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se pasditen e së dielës, rreth orës 15:00, Policia ka pranuar informacion se nga një kolonë dasmorësh në rrugën “Sylejman Vuçitërrna” në Prishtinë po dëgjoheshin të shtëna me armë.

Njësitë reaguese kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, gjatë patrullimit, kanë dëgjuar muzikë që vinte nga një shtëpi ku po zhvillohej ahengu familjar.

Sapo policët janë afruar, para tyre ka dalë Valon Zeka (1988), i cili, sipas burimeve të Sinjalit, ka pranuar se ishte ai që kishte shtënë me armë gjatë festës.

I dyshuari ua ka dorëzuar zyrtarëve policorë një armë me gaz të llojit Zoraki 917-T, si dhe tre fishekë të pashkrepur të kalibrit 9×19 mm. Në vendngjarje janë gjetur edhe dy gëzhoja të të njëjtit kalibër.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe krim-teknikët, të cilët kanë sekuestruar armën, fishekët dhe provat tjera materiale.

Valon Zeka është shoqëruar në Stacionin Policor Jugu, ku është intervistuar lidhur me rastin. Me rekomandim të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Nga muzika e dasmës te zhurma e krismave – një tjetër aheng familjar përfundoi në dosjet e Policisë, duke rikthyer debatin mbi traditën e rrezikshme të gjuajtjes me armë në festa.

Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/