image Ekskluzive | Çfarë po ndodh në Autoritetin e Konkurrencës? Dokumente dhe korrespondenca e brendshme ngrenë pikëpyetje serioze mbi funksionimin e institucionit

Ekskluzive

Ekskluzive | Çfarë po ndodh në Autoritetin e Konkurrencës? Dokumente dhe korrespondenca e brendshme ngrenë pikëpyetje serioze mbi funksionimin e institucionit

news image

Një seri dokumentesh dhe korrespondencash të brendshme që kanë mbërritur në redaksinë e Sinjalit kanë ngritur pikëpyetje serioze lidhur me funksionimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKRK), veçanërisht sa i përket mënyrës së ushtrimit të kompetencave, trajtimit të çështjeve të konfliktit të interesit dhe procesit të vendimmarrjes brenda institucionit.

Materialet e siguruara prekin një gamë të gjerë çështjesh, duke filluar nga funksionimi i Komisionit, përbërja dhe kuorumi i tij, procedurat për trajtimin e përqendrimeve ekonomike, deri te procedurat disiplinore dhe mosmarrëveshjet ndërmjet drejtuesve dhe zyrtarëve të institucionit.

Një nga dokumentet që disponon Sinjali është një email zyrtar i datës 10 shtator 2024, me të cilin kryetarja e AKRK-së, Neime Binaku-Isufi, u kërkon të gjithë anëtarëve të Komisionit dhe zyrtarëve të institucionit që të deklarojnë me shkrim nëse kanë ose jo konflikt interesi në rastet që ndodheshin nën monitorim dhe hetim.

Në të njëjtin email thuhet se Autoriteti ishte duke zhvilluar hetime në sektorin e telekomunikimeve, ndërsa kishte nisur edhe monitorimin e procedurave të prokurimit në KEK, ku përfshiheshin fillimisht 40 operatorë ekonomikë. Po ashtu, në këtë korrespondencë thuhet se nënkryetarja Kaltrina Sela kishte një konflikt interesi të konstatuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), duke kërkuar që të gjitha deklarimet të bëheshin në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Më 27 shtator 2024, nënkryetarja Kaltrina Sela i është përgjigjur zyrtarisht kësaj kërkese. Në emailin që ka siguruar Sinjali, ajo argumenton se konflikti i interesit duhet të vlerësohet rast pas rasti, në përputhje me nenin 53 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës. Sela deklaron se do të përjashtohej nga vendimmarrja vetëm për dy operatorë ekonomikë, ndërsa konsideronte se për 38 operatorët e tjerë nuk ekzistonte pengesë ligjore për pjesëmarrjen e saj në vendimmarrje.

Megjithatë, dokumentacioni që po shqyrton Sinjali ngre pikëpyetje edhe për zhvillimet që kanë pasuar këtë korrespondencë. Sipas materialeve të siguruara, ekzistojnë pretendime se nënkryetarja ka marrë pjesë në një proces vendimmarrës edhe pas këtyre komunikimeve zyrtare. Nëse kjo ka ndodhur, mbetet të sqarohet nëse pjesëmarrja e saj ka qenë në përputhje me dispozitat ligjore që rregullojnë konfliktin e interesit dhe procedurat e vendimmarrjes në AKRK.

Dokumentet prekin gjithashtu edhe çështje të tjera, përfshirë mënyrën e funksionimit të Komisionit si organ kolegjial, mbajtjen e mbledhjeve, ekzistimin e kuorumit, bazën ligjore mbi të cilën janë nxjerrë disa akte administrative, trajtimin e rastit Devolli Corporation – Kujtesa Net, si dhe zhvillimet që lidhen me opinionin e APK-së dhe aktgjykimin e mëvonshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në mesin e materialeve përfshihen edhe pretendime të ngritura nga Kaltrina Sela, Shemsi Elezi dhe Gresa Latifi, të cilat lidhen me funksionimin e institucionit, procedurat disiplinore dhe zhvillimet administrative brenda AKRK-së.

Duke pasur parasysh rëndësinë që ka Autoriteti Kosovar i Konkurrencës për funksionimin e tregut dhe interesin e lartë publik që lidhet me punën e tij, Sinjali do t’i drejtohet zyrtarisht AKRK-së me një kërkesë të detajuar për dokumente dhe sqarime lidhur me secilën prej çështjeve të ngritura në materialet e siguruara nga redaksia.

Qëllimi i këtij raportimi është që publiku të informohet mbi bazën e dokumenteve, fakteve të verifikueshme dhe qëndrimeve zyrtare të të gjitha palëve, pa paragjykuar përgjegjësinë e askujt dhe duke respektuar standardet e raportimit të drejtë dhe të balancuar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/