image Ekskluzive: Bujar Basha në muajin shtator doli nga burgu, i dënuar me 35 vjet burgim për katër grabitje

Drejtësi

Ekskluzive: Bujar Basha në muajin shtator doli nga burgu, i dënuar me 35 vjet burgim për katër grabitje

news image

Grupi kriminal që kreu grabitjen e armatosur në Suharekë ra në ‘kthetrat’ e Policisë gjatë ditës së djeshme, pas një operacioni të gjerë policor. Njëri nga grabitësit u vra pas shkëmbimit të zjarrit me Policinë, ndërsa katër të tjerë u arrestuan – teksa kërkimet për ta kapur edhe një të dyshuar po vazhdojnë. Në mesin e të arrestuarve është edhe Bujar Basha, me histori kriminale, të pasur me vepra penale, i njohur kryesisht si ‘ekspert’ i grabitjeve, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka siguruar evidencën penale nga Gjykata Themelore në Prizren për Bujar Bashën, veprat penale dhe dënimet e shqiptuara për të tilla raste.

Vuajtjen e dënimit me burgim për një rast të grabitjes, për të cilin ishte dënuar me 5 vjet burgim në fund të vitit 2018, Basha e kishte përfunduar në muajin shtator.

Më 14 shtator, Bujar Basha kishte dalë nga burgu, për të vazhduar veprimtarinë e tij kriminale të veprave të natyrës së njëjtë, siç ndodhi me rastin e grabitjes së armatosur në Suharekë, e planifikuar si në filma.

Pas më shumë se dy muajsh prej kur doli nga burgu, Basha u arrestua nga Policia e Kosovës, në një aksion të madh, ku ranë në prangat e Policisë, nën dyshimet për grabitjen e arit në vlerë të 250 mijë eurove në argjendarinë “Diakos”.

Basha është i dënuar me 35 vjet burgim, në katër raste për veprën penale të grabitjes dhe i dënuar me 2 vjet burgim dhe dënim me gjobë për dy raste të vjedhjeve.

Basha tashmë ndodhet nën masën e ndalimit e policor dhe brenda afatit ligjor pritet të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij dhe personave të tjerë të arrestuar.

Por jo gjithë grupi u kap nga Policia. Pasi njësitet policore lokalizuan vendndodhjen e tyre, dje në Dragodan, pas një shkëmbimi të zjarrit me Policinë, shoku i tyre i grupit, Dukagjin Gashi u vra.

Përveç Bujar Bashës, në prangat e Policisë përfunduan edhe Leotrim Cakolli, Besart Istrefi dhe Trim Baraku – kurse Korab Gashi, vëllai i të vrarit tashmë është shpallur në kërkim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/