Të shtëna me armë zjarri, një i plagosur, aksident gjatë ikjes dhe një kallashnikov i sekuestruar. Këto janë detajet e para nga ngjarja e rëndë që tronditi Prishtinën pak para mesnatës.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se fillimisht rasti ishte raportuar si aksident trafiku në rrugën “Feriz Guri”, por shumë shpejt Policia mori informacione se në të njëjtën ngjarje kishte pasur edhe të shtëna me armë zjarri.
Kur njësitë policore mbërritën në vendngjarje, hasën Shkëlqim Kastratin, rreth 30-vjeçar, i cili kishte një plagë nga arma e zjarrit në pjesën e shpinës.
I plagosuri u dërgua me urgjencë në QKUK, ku po vazhdon trajtimin mjekësor.
Hetimet e para kanë zbuluar se incidenti dyshohet të ketë nisur në rrugën “Jakup Ceraja”, ku forenzika ka gjetur dhe sekuestruar shtatë gëzhoja pranë një shtëpie.
Sipas dyshimeve fillestare të hetuesve, një person ende i paidentifikuar ka shtënë me armë të gjatë në drejtim të veturës së viktimës.
Pas sulmit, Kastrati dyshohet se ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por ka humbur kontrollin mbi automjetin, duke goditur disa vetura dhe murin e një shtëpie në rrugën “Feriz Guri”.
Sinjali mëson se në orët e para të mëngjesit, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, hetuesit dhe Njësia Reaguese Speciale kanë kryer bastisje në një lokacion të dyshuar, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një kallashnikov, një karikator dhe 13 fishekë.
Rasti është cilësuar si “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa autori i dyshuar ende nuk është identifikuar dhe ndodhet në arrati.
Plumbat e goditën në shpinë. Pak çaste më vonë, vetura e tij përfundoi e përplasur. Tash Policia ka në duar një kallashnikov dhe një mister që po përpiqet ta zbardhë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!