Një pronar marketi në Fushë Kosovë dyshohet se ka rënë pre e një mashtrimi me 600 dollarë të falsifikuar, pasi një klient i panjohur fillimisht bleu cigare dhe më pas u kthye për t’i këmbyer paratë në euro, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se ankues është M. Gashi, 45 vjeçar, pronar i “Market Llapi” në rrugën “Nënë Tereza” në Fushë Kosovë.
Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja kishte ndodhur më 16 korrik, rreth orës 05:00 të mëngjesit. Një klient kishte hyrë në market, kishte blerë një pako cigare dhe kishte paguar me dollarë amerikanë.
Rreth pesë minuta më vonë, ai ishte kthyer sërish dhe kishte kërkuar që t’i këmbeheshin 600 dollarë në euro. Pronari i marketit ia kishte dhënë 510 euro, duke besuar se kartëmonedhat ishin autentike.
Mashtrimi u zbulua vetëm kur ankuesi i dërgoi dollarët në një pikë këmbimi për t’i konvertuar, ku iu tha se kartëmonedhat ishin të falsifikuara.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda, i cili ka urdhëruar inicimin e hetimeve për veprën penale “Falsifikim i parasë”.
Policia është duke punuar për identifikimin e personit që dyshohet se ka vënë në qarkullim kartëmonedhat e falsifikuara.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!