Futbollisti i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Besar Halimi ka folur në një intervistë ekskluzive për Sinjali Sportiv, në lidhje me të ardhmën e tij dhe për ndeshjet finale të Kosovës drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian.
Halimi tha se ka kontratë edhe një vit me ekipin nga Bundesliga 2, Sandhausen dhe do të vazhdojë me këtë skuadër edhe sezonin e ardhshëm.
“Po kam kontratë edhe një vit, vitin e kaluar kam pasur disa lëvizje, domethënë jam i kënaqur në Sandhausen”, u shpreh fillimisht Halimi.
Futbollisti nga Gjilani tregoi edhe për vështirësitë që i ka pasur gjatë pauzës përshkak të koronavirusit.
“Normal që ka qenë vështirë por besoj si lojtar profesionist duhet gjithmonë me u kujdes për veten. M’u përgatit mirë në çdo stërvitje dhe çdo lojë”, vazhdoi mesfushori kosovar.
Ndeshja e vështirë dhe shumë e rëndësishme për Kosovën është ajo ndaj Maqedonisë së Veriut, e cila nuk mbeti pa u komentuar edhe nga futbollisti i palodhur i Kosovës.
“Normal që kemi qenë të dëshpëruar pasi nuk kemi pasë mundësi me lujt shkaku i pandemisë, por ne si lojtarë e dimë çka do të thotë loja kundër Maqedonisë për popullin në Kosovë, për prindërit e lojtarëve dhe për neve si lojtarë. Detyra jonë është me mbajtë formën optimale nëpër klube që me qenë gati dhe të përgatitur ndaj Maqedonisë”, shtoi Halimi.
Ai për fund ka edhe një mesazh për tifozët e Kosovës të njohur si “Dardanët”.
“Ju uroj shëndet, qëndroni në shtëpi dhe qëndroni ashtu si jeni, fansat më të mirë në botë”, përfundoi Besar Halimi./Gazeta Sinjali/