image Ekskluzive | Bastisje nga antidroga në Gjilan, kapen kokainë, marihuanë dhe pajisje për paketim – 26-vjeçari në ndalim

Ekskluzive

Ekskluzive | Bastisje nga antidroga në Gjilan, kapen kokainë, marihuanë dhe pajisje për paketim – 26-vjeçari në ndalim

news image

Një aksion i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) ka rezultuar me sekuestrimin e kokainës, marihuanës dhe pajisjeve që dyshohet se përdoreshin për paketimin e drogës, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se aksioni është zhvilluar mbrëmjen e 9 korrikut, rreth orës 20:00, në rrugën “Ruzhdi Hasani”, në fshatin Velekincë të Gjilanit.

Pas angazhimeve operative në terren dhe grumbullimit të informatave, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, hetuesit kanë kryer kontroll në shtëpinë e Lorent Hasanit, rreth 26-vjeçar.

Gjatë bastisjes janë sekuestruar:

7.5 gramë kokainë;

36.6 gramë marihuanë;

një peshore digjitale;

qese të papërdorura, që dyshohet se shërbenin për paketimin e substancave narkotike.

Në aksion, përveç zyrtarëve të DHTN-së në Gjilan, kanë asistuar edhe hetuesit e njësisë së antidrogës të Stacionit Policor në Gjilan.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se, pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, 26-vjeçari është ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tij është iniciuar procedurë për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike, psikotrope ose analoge”.

Hetimet po vazhdojnë për të verifikuar nëse substancat e sekuestruara ishin të destinuara për shitje në tregun ilegal.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/