Një aksion i Policisë së Kosovës në Kamenicë ka rezultuar me arrestimin e dy personave dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme dokumentesh, pajisjesh elektronike, vulash dhe parash të gatshme që dyshohet se lidhen me funksionimin e strukturave të sistemit paralel serb.
Gazeta Sinjali mëson se të dyshuarit janë Negovan Vasiq (46-vjeç) dhe Dragan Kristiq (44-vjeç), ndaj të cilëve janë iniciuar procedura për veprat penale “Asgjësimi apo fshehja e materialit arkivor” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Burimet bëjnë të ditur se aksioni është zhvilluar në bazë të urdhër-kontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjilan. Gjatë bastisjeve në banesat, lokalet dhe objektet që shfrytëzoheshin nga të dyshuarit, si dhe në shkollën “Bratsvo” në fshatin Strezoc, hetuesit kanë sekuestruar materiale të shumta.
Në mesin e provave të konfiskuara janë:
- një vulë me stemën e Republikës së Serbisë, e dyshuar se përdorej për dokumentacion të sistemit paralel;
- dokumente që lidhen me punësimet dhe administrimin sipas sistemit paralel serb;
- dokumente me të dhëna që ndërlidhen me Listën Serbe;
- gjashtë laptopë;
- katër njësi kompjuterike;
- një USB dhe një telefon mobil.
Ndërkohë, gjatë bastisjes në pronën e Dragan Kristiqit është sekuestruar edhe një pushkë ajrore e tipit Daisy Mod 1894 B-B Gun, si dhe një shumë e konsiderueshme parash të gatshme në valuta të ndryshme, përfshirë euro, dinarë serbë, dollarë amerikanë dhe franga zvicerane.
Pas intervistimit, me vendim të Prokurorisë, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar origjinën dhe destinimin e dokumentacionit të sekuestruar, si dhe për të përcaktuar përgjegjësinë penale të të dyshuarve në këtë rast.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!